AGK dënon gjuhën e përdorur nga zëvendësministri Dugolli

May 9, 2020
dugolli-01

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën e përdorur të zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të VV-së, Enver Dugolli pas raportimeve se anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi ishte sulmuar fizikisht nga ish-kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Albin Gashi.

Me datë 8 maj, Dugolli ka shkruar një status të tillë në rrjetin e tij personal social Facebook – “Piskamat shteruese e dëshpëruese të disa ‘gazetarëve’ për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht ‘viktimën politike’ madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë… Krijohet përshtypja se kushedi se çfarë krimi i madh mund të ketë ndodhur… Gazetari se jo mahi…”

AGK e ka dënuar fuqishëm gjuhën e përdoru të zëvendësministri Dugolli ndaj raportimit të gazetarëve lidhur me rastin.

“AGK e dënon fuqishëm përdorimin e një gjuhe të tillë, sidomos kur ajo vjen nga një individ që mban post kaq të respektuar, fjala e të cilit ka ndikim dhe i jep formë edhe mendimit të opinionit publik. Gazetarët kanë të drejtë të raportojnë, dhe është detyrë e tyre e shenjtë që ky raportim të ndodhë, e të mos fshihet e manipulohet si i tillë. Gazetarët nuk performojnë ‘piskama’, ata mbulojnë ngjarje e zhvillime të ndryshme gjatë ditës, dhe rasti të cilit i është referuar Dugolli, nuk do të duhej të lihej në terr mediatik, siç pretendon ai”, thuhet në reagimin e AGK’së.

AGK u ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të distancohen nga qëndrimet e tilla të cilat e pengojnë punën e gazetarëve në Kosovë.

“AGK fton zyrtarët politikë dhe partitë e tyre politike të distancohen nga qëndrime të tilla të cilat vetëm sa e minojnë më shumë punën e gazetarëve në Kosovë”, thuhet në reagim.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: info@kosovain.eu


Për ne