Ministria e Shëndetësisë po shqyrton lehtësimin e masave para 18 majit

May 9, 2020
Viti-Kurti

Pas zbutjes së masave dhe fillimit të operimit të një numri të bizneseve, Ministria e Shëndetësisë është duke i analizuar hapat e mëtejmë. Faza e dytë do të fillojë me 18 maj, kurse faza e tretë në fillim të muajit qershor.

Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, tha se ndërmjet njërës dhe fazës tjetër do të bëhet një rivlerësim  i efekteve që ka prodhuar lirimi i masave dhe konform zhvillimeve të situatës epidemiologjike do të ndikohet që të merren edhe vendime të tjera.

“Më 4 maj ka filluar plani i hapjes graduale ekonomike me lirimin e disa bizneseve që të operojnë. Më 18 maj do të lirohen disa të tjera. Ndërsa faza e tretë fillon në qershor. Midis njërës dhe fazës tjetër do të bëhet një rivlerësim  i efekteve që ka prodhuar lirimi i masave dhe koonform zhvillimeve të situatës epidemiologjike do të ndikohet që të merren edhe vendime të tjera.  Por ajo që dëshirojmë ta tërheqim vërejtjen tani është se lirimi i disa masave, lirimi i mundësisë që shumë biznese të operojnë nuk nënkupton që ne e kemi tejkaluar situatën e vështirë”, tha Hoti për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se edhe më tej duhet të kihet kujdes, të mbahet distanca dhe të përdoren mjetet mbrojtëse.

“Do të bëjmë shumë kujdes, të rritet vigjilenca, të mbahet edhe më tej distancimi social, të përdoren mjetet mbrojtëse në mënyrë që çdo veprimtari e cila do të ushtrohet tani e tutje në një farë forme të zhvillohet brenda një mbrojtje shëndetësore e cila na siguron që në të ardhmen të jemi të mbrojtur nga virusi. Ministria e Shëndetësisë së bashku me IKShP-në, do ta analizojë rrjedhën e situatës dhe në fazat e mëtejme do të bëhet rivlerësimi i efekteve të këtyre masave dhe do të shikohet nëse ka nevojë të ndërmerren masa të tjera, ku disa veprimtari të cilat në këto faza do të lirohen për të operuar më tej”, theksoi Hoti.

Hoti foli edhe për paralajmërimet e epidemiologëve se virusi mund të kthehet nëse nuk jemi të kujdesshëm.

“Mirëpo  përkeqësimi i situatës mund të ndikojë që të kthehet, është shumë e rëndësishme që bizneset dhe qetarët tu përmbahen atyre rregullave që Ministria i ka përcaktuar gjatë kësaj faze. Situata është nën kontroll, fakti që kemi shifra të vogla të personave që kanë përfunduar me vdekje tregon që ka pasur një menaxhim të mirë të situatës. Ky funksionim brenda këtyre hallkave ka bërë që Kosova të jetë në mesin e atyre vendeve që deri tash ka pasur sukses në menaxhimin e pandemisë”,  shtoi Hoti.

Hoti tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe strukturat shëndetësore janë të mobilizuara ta përfundojnë një herë valën e parë e cila për fat të mirë në ditët e fundit po shkon drejt qetësimit për shkak se ka numër më të madh të pacientëve që shërohen krahasuar me numrin e atyre që rezultojnë pozitiv.

Hoti theksoi se institucionet duhet të mobilizohen që të përgatiten për një valë të re eventuale të Coronavirusit që mund të vij në vjeshtë, dimër.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe strukturat shëndetësore janë të mobilizuara ta përfundojnë një herë valën e parë e cila për fat të mirë në ditët e fundit po shkon drejt qetësimit për shkak se kemi numër më të madh të pacientëve që shërohen krahasuar me numrin e atyre që rezultojnë pozitiv. Ne në bazë të lakores të rasteve të regjistruara dhe atyre që e mundin sëmundjen shohim që kemi një trend shpresëdhënës dhe shpresojmë që shumë shpejt të lirohemi nga kjo problematik e shëndetit publik. Ne menjëherë si institucione do të mobilizohemi që të përgatitemi për një valë të re eventuale të Coronavirusit që mund të vij në vjeshtë, dimër apo edhe në muajt në vijim”, shtoi ai.

Ai tha se në bazë të projeksioneve që ka bërë IKShP-ja, Kosova është në skenarët më të butë të zhvillimit të pandemisë, mirëpo mund të ketë edhe raste të tjera, sepse një pakujdesi e vogël mund nxisë reaksione që mund të shkaktojnë me dhjetëra raste të tjera të infektuarve.

“Në bazë të projeksioneve që ka bërë IKShP-ja, ne jemi në skenarët më të butë të zhvillimit të pandemisë, mirëpo mund të ketë raste të tjera, sepse siç e kemi parë edhe nga praktika e kaluar një pakujdesi e vogël mund të nxisë rekasione që mund të kemi me dhjetëra raste të tjera të infektuarve, mirëpo trendi i 10 ditëve të fundit është një trend pozitiv, me rënie shumë të madhe të rasteve që kanë rezultuar pozitiv dhe në të njëjtën kohë me rritjen e numrit të shëruarve”, shtoi Hoti.


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: info@kosovain.eu


Për ne