Policia e Prizrenit bën identifikimin e zyrtarëve, që kontaktuan 12 policët e infektuar me CoVID-19

May 23, 2020
pp

Pas rastit të parë të zyrtarit policor në rajonin e Prizrenit, i cili rezultoi pozitiv me CoVID-19, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), vendosi t’iu bëjë testet edhe 40 policëve të cilët kanë pasur kontakt me zyrtarin policor.

Gjatë ditës së djeshme IKSHPK testoi 20 policë, prej tyre 12 zyrtarë policorë rezultuan pozitivë me COVID-19. Në lidhje me këtë Policia e Rajonit të Prizrenit, është duke marr masat e identifikimit të personave tjerë që kanë pasur kontakt me këta 12 zyrtarët policorë të cilët rezultuan pozitiv me COVID-19.

Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

Sipas tij, ata do ta përpilojnë listën e këtyre personave dhe do t’ia dërgojnë IKSHPK-së.

Siç tha ai, iu mbetet Institutit të vendosin nëse do t’i testojnë edhe këta persona.

“Ne si administratë jemi duke i marr masat e identifikimit të personave që kanë pasur kontakt me këta 12 policë që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, pastaj vendos Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëse do t’ua bëjë testin edhe këtyre personave apo jo. Kur ta bëjmë listën e këtyre personave do t’ia dërgojmë Institutit”, ka thënë  Osmanollaj.

Ndër të tjera Osmanollaj, tregoi se puna e Policisë në rajonin e Prizrenit, vazhdon të kryejë detyrat pa problem, pasi sipas tij, ka staf të mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha detyrat në terren.

Diaspora në ndihmë të atdheut gjatë pandemisë COVID-19

E SPONSORUARSHIKO VIDEON

Ndërkaq, sot pritet të testohen edhe 20 zyrtarë policorë, të cilët dyshohen që mund të kenë pasur kontakt me policin e parë, i cili rezultoi i infektuar me COVID-19.

Ndryshe, IKSHPK gjithashtu ka bërë të ditur se dje janë shëruar 10 persona, duke çuar kështu në 782 numrin e përgjithshëm të pacientëve të shëruar.

 


Kosova In EU

Kosovain.eu është media online e themeluar në vitin 2009. Qëllimi kryesor ishte dhe mbetet informimi i shpejtë, i paanshëm dhe profesional, si një nga shtyllat kryesore të një shoqërie që aspiron integrimin në familjen evropiane.

Kontakti:

Adresa: Rr. “Shaban Polluzha”, Ndërtesa I, Kati 7, Nr.59, 10000 Prishtinë, Kosovë

Tel: + 383 38 71 77 88

Email: info@kosovain.eu


Për ne