Zbulohet mikroplastika në sedimentet 150 vjeçare, 2133 m. në det

Hulumtuesit kanë zbuluar mikroplastikë brenda sedimenteve, të lokalizuara 2133 metra nën sipërfaqen e oqeanit dhe që janë më të vjetra se 150 vjet. Grupi ka identifikuar pjesë të imëta të plastikës në mostrat nga sedimentet e koleksionuara në Rockall Trough – një pellg ujor të thellë në Atlantikun e Veriut.
Shkencëtarët, e udhëhequr nga Winnie Courtene-Jones, kanë ekzaminuar sedimentet – e marra nga 2133 metra nën sipërfaqen e ujit – në mënyrë që të zbulojnë sasinë dhe shtrirjen e mikroplastikës brenda tyre.
Gjetja e plastikës tek këto sedimente kaq të vjetra, i ka çuditur shkencëtarët, pasi që plastika nuk ka filluar të prodhohet në masë të madhe deri në mes të shekullit XX. “Ne kemi gjetur mikroplastikë të shpërndarë deri tek bërthama e sedimenteve, të gjetura deri në 10 centimetra poshtë shtratit të detit,” tha Courtene-Jones për Newsweek.
“Është shumë surprizuese të gjejmë mikroplastikë aq thellë. Shtresat e sedimenteve nën 4 centimetra ishin rreth 150 vjet të vjetra, dhe prapë mikroplastika u gjend në to. Plastika filloi të prodhohej me masë të madhe në vitet 1940-1950, rrjedhimisht, po kuptojmë që plastika ka qenë prezente në sedimente shumë para prodhimit në masë të madhe të saj.”
Ekzistojnë mundësi të ndryshme për mënyrën se si mikroplastika ka përfunduar në sedimente 150 vjeçare. Mikroplastika është shumë e shpërndarë në mjediset ujore, si në ato nënujore deri tek shtrati i ujrave, por po ashtu edhe në sipërfaqet e ujit.
Në fillim të këtij viti, shkencëtarët kanë zbuluar disa lloje të reja të kafshëve detare, që kishin mikroplastikë në trupin e tyre. Por, shumica e studimeve të këtij lloji të ndotjes, janë fokusuar në sipërfaqe si në plazhe dhe zonat bregdetare, andaj edhe shpërndarja globale e mikroplastikës në thellësitë detare është shumë e panjohur. Ky fakt po ashtu i rrit rëndësinë këtij zbulimi të ri.